Site icon Telegrafi

Vetëvendosje hedh dyshim për një organizatë që do t’i vëzhgojë zgjedhjet

Pjesëmarrja në zgjedhje e një organizate joqeveritare me emrin “Instituti Rajonal Demokratik Për të Drejtat e Njeriut dhe Studime” për Adnan Rrustemin të Vetëvendosjes është e dyshimtë.

Sipas tij, kjo organizatë dyshohet se ka prapavijë tjetër dhe punon për një subjekt politik.

Rrustemi tha se kjo organizatë joqeveritare nuk ka vëzhguar asnjë proces zgjedhor dhe krijon dilema se mund të jetë një organizatë manipuluese e cila gjithsej ka 4548 vëzhgues në terren gjatë ditës së zgjedhjeve.

“Ne duhet të sigurohemi që këta janë vërtet vëzhgues dhe që e kanë vëmendjen ose kujdesin e vëzhguesve të shoqërisë civile dhe nuk janë dorë e zgjatur e subjekteve të caktuara politike që pastaj mund të na shërbejnë si pengesë në procesin zgjedhor”, tha ai.

Sipas kryetares së Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, Miradije Mavriqi, duke e larguar përgjegjësinë nga kjo zyrë tha se kjo OJQ i ka përmbushur të gjitha kushtet për akreditim ashtu siç e parasheh ligji dhe për hulumtime më të thella nuk është në kompetencën e tyre.

Në mbledhjen që u mbajt sot KQZ ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar është 29 mijë e 264 vëzhgues.

Exit mobile version