Site icon Telegrafi

Vetëvendosje i drejtohet sërish Gjykatës Supreme, pas refuzimit të PZAP-it për numërimin e mbi 4 mijë votave nga diaspora

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se do të apelojnë në Gjykatën Supreme vendimin e PZAP-it, për mos numërimin e 4 mijë e 639 fletëvotimeve nga diaspora.

Në njoftimin e bërë për media nga Vetëvendosje thuhet se do t’i drejtohen sërish Gjykatës Supreme, dhe që shpresojnë që kjo çështje të zgjidhet dhe të numërohen këto fletëvotime, transmeton Telegrafi.

“Sot pranuam nga Paneli zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendimin e marrë nga gjyqtarët Fejzullah Rexhepi – kryesues, Nenad Llazic, Afjete Sada – Gllogjani, Kymete Kimete, Zyhdi Haziri, Rrustem Thaqi, Ferki Xhaferi, Faton Ademi dhe Adnan Konushevci, anëtarë, ku refuzohet si i pabazuar apeli i paraqitur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! për numërimin e zarfeve me fletëvotime nga bashkatdhetarët tanë”, thuhet në komunikatën e LVV-së.

Lexo po ashtu PZAP refuzon ankesën e LVV-së për pranimin e votave të diasporës

“Ndonëse Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës i kërkonte PZAP ta merrte parasysh këtë të drejtë, sërish sot ky panel në mënyrë artificiale dhe në interpretim të ngushtë ia mohoi të drejtën për numërimin e votës së qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit. Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta dërgojë në Gjykatën Supreme apelin sërish, duke pritur që kjo çështje të zgjidhet e të numëron këto fletëvotime”, shkruan LVV.

Vetëvendosje thekson se bashkatdhetarët nuk ia kanë borxh askujt këtë cenim të së drejtës së tyre bazike që buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe të drejtat ndërkombëtare në këtë sferë. /Telegrafi/

Exit mobile version