Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë ka bërë kallëzim penal ndaj Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës.
Sipas njoftimit të LVV-së në Facebook, kallëzimi lidhet me ndërhyrjen e LDK-së në objektin e selisë së saj.
“Sot, Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e LVV-së, Gëzim Sveçla dhe Arianit Beqiri, kanë dorëzuar Kallëzim Penal, në Prokurorinë Themelore, Departamenti për Krime të Rënda, për keqpërdorim të detyrës zyrtare të Inspektorëve të Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës duke mos ndërhyrë në objektin pa leje të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
LVV thotë se padinë e deponuan pasi sipas tyre Drejtoria e Inspekcionit nuk ka ndërhyrë në bllokimin e punimeve te selia e LDK-së
“Më 6 prill 2022, mbajtëm Konferencë të Jashtëzakonshme duke prezantuar refuzimin e lejes nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Urbanizmit, që ia kishin bërë LDK-së. Pavarësisht kësaj, ata sërish kishin ndërhyrë në këtë objekt. Ne, në konferencë paralajmëruam që jemi duke e përgatitur një kallëzim penal. Dy javë më vonë, ndonëse shpresuam se Drejtoria e Inspekcionit do të marrë masa, një gjë e tillë nuk ndodhi, prandaj edhe sot deponuam këtë Kallëzim Penal”.
Partia opozitare në kryeqytet ka ftuar organet e drejtësisë që të merren me rastin.
“Presim nga organet e drejtësisë që të marrin masa ndaj atyre që e keqpërdoren detyrën zyrtare duke toleruar ndërtime pa leje në qendër të qytetit. Dhe, ftojmë LDK-në që të tërhiqet nga kjo traditë e saj, sepse po e ngulfat Kryeqytetin”, thuhet tutje në njoftim./Telegrafi/