Site icon Telegrafi

Vetëvendosje distancohet nga ofendimet e kandidatit të saj ndaj myslimanëve

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se distancohet nga qëndrimi i kandidatit për deputet nga kjo parti, Sadri Ramabaj, i cili përmes një postimi në Facebook, ka fyer dhe ofenduar sot besimtarët myslimanë të Kosovës.

Ramabaja, i cili vie nga rajoni i Anamoravës, e ka quajtur “ngjarje antihistorike” organizimin e një iftari të besimtarëve myslimanë në rrugët e qytetit të Kamenicës.

“Ky është postimi në youtube i njërës prej ngjarjeve më antihistorike, që këto ditë prodhoi një grusht haxhiqamilësh të Anamoravës time në Dardanë”, ka shkruar Ramabaja në Facebook.

Ndërkaq, Vetëvendosje ka thënë se distancohet nga gjuha e përdorur nga Ramabaja ndaj myslimanëve.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! distancohet nga gjuha e përdorur dhe qëndrimi i Ramabajës. Shprehim keqardhje për të gjithë ata që janë ndjerë keq nga reagimi i Ramabajës, si dhe mbesim të përkushtuar dhe angazhohemi që liria e besimit të jetë e pacenueshme”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Për ofendimet e Ramabajës ndaj myslimanëve të Kamenicës reagoi edhe ish-deputeti dhe lideri i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi.

Exit mobile version