Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për mosnumërimin e 4 mijë e 639 zarfeve me fletëvotime të ardhura nga diaspora.
Në njoftimin për media, VV ka theksuar se presin që PZAP të marrë vendim brenda afateve ligjore dhe të urdhëroj KQZ-në, shërbimin për votimin jashtë vendit, që pa vonesë të procedojë për numërim të gjitha fletëvotimet e ardhura nga mërgata jonë.
Njoftimi i plotë:
Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ushtroi ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me mosnumërimin në Qendrën e Numërimit të Rezultateve të 4639 të dërgesave postare me fletëvotime të ardhura nga mërgata.
Mbrëmë u numëruan 13 491 fletëvotime të votuesve nga mërgata. Presim që PZAP, të marrë vendim brenda afateve ligjore dhe të urdhëroj KQZ-në, shërbimin për votimin jashtë vendit, që pa vonesë të procedojë për numërim të gjitha fletëvotimet e ardhura nga mërgata jonë.
Arsyetimet procedurale që artificialisht po i mbivendosen vullnetit të lirë të zgjedhësve nga mërgata e cenojnë demokracinë. Andaj ato fletëvotime duhet të numërohen. /Telegrafi/