Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kundërshtuar pavlefshmërinë e qindra fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sekretari i Përgjithshëm i LVV-së, Alim Rama, e cilësoi këtë si një përpjekje të qëllimshme për të deformuar vullnetin e votuesve të diasporës.
“Me qindra fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga numëruesit e QNR-së për një arsye absurde, sepse qytetarët nuk i kanë shtypur siç duhet. Por në të gjitha këto fletëvotime, qëllimi i votuesit është i qartë dhe i pakontestueshëm”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai ka cituar Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së, duke theksuar se një votë është e vlefshme kur votohet vetëm një subjekt politik dhe kuptohet qartë qëllimi i votuesit.
Sipas tij, fletëvotimet e kontestuara përmbajnë vetëm një subjekt politik dhe nuk ka asnjë arsye për t’i shpallur të pavlefshme.
Rama ka akuzuar shumicën e anëtarëve të KQZ-së për vendime të motivuara politikisht, duke thënë se këto veprime përbëjnë “një cenim të thellë të demokracisë”.
Ai njoftoi se, për shkak të refuzimit të KQZ-së për të korrigjuar këtë situatë, LVV ka dorëzuar ankesën e saj në PZAP.
“Çdo përpjekje për të manipuluar vullnetin qytetar është cenim i thellë i vetë demokracisë!”, përfundoi Rama.
Votat e prezantuara nga Rama, janë hedhur të pavlefshme nga KQZ për shkak të printimit të gabuar të fletës së votimit ku nuk janë përfshirë të gjitha subjektet./Telegrafi/