Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një 21-vjeçar është plagosur në Kaçanik.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se Stacioni i Policisë në Kaçanik rreth orës 02:00 nga Shtëpia e Shëndetit në Kaçanik ka pranuar një informatë, se një person kishte kërkuar ndihmë mjekësore nga lëndimet që kishte pësuar nga arma e zjarrit, i cili më pas ishte transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Personi i plagosur më pas është dërguar për tretman të mëtutjeshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.
“Njësia e Hetimeve të stacionit në Kaçanik ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka nisur hetimet.
Nga hetimet e para dyshohet se personi A.B (M/K) i moshës 21 vjeçar në shtëpinë e tij në rrugën ‘Mejdi Dalloshi’ në Kaçanik me armën e zjarrit (pistoletë) ishte vetë plagosur.
Arma e zjarrit dhe 3 fishkë janë konfiskuar, ndërsa si provë materiale është gjetur edhe një gëzhojë”, thuhet në njoftim.
Rasti është cilësuar “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe mbajtje në pronësi të pa autorizuar të armës”. /Telegrafi/