Nga: Fraser Nelson / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Dikur më thanë se për judaizmin më e rëndësishme është tavolina e darkës në Shabat sesa kisha për krishterimin. Larja ceremoniale e duarve, mirëseardhja e engjëjve, himni për gratë, këndimi: nuk është ritual më pak i rëndësishëm sesa përkujtimi i Darkës së Fundit dhe është diçka të cilën unë prej kohësh kam dashur ta shoh. Kur më në fund në muajin e kaluar u ftova, mendova se isha plotësisht i përgatitur, por kisha harruar një gjë. Nuk ka telefona celularë në Shabat. “Ishim disa shekuj përpara – përkitazi me këtë detoksifikim dixhital”, tha mikpritësi im.
Bota e jashtme vazhdimisht po e pranon këtë mençuri rabinike. Telefonat zgjuar janë ndaluar në klasat britanike, ndërsa Florida gjatë kësaj jave i bëri të paligjshme të gjitha mediat sociale për fëmijët nën moshën 14-vjeçare. Duket se gjatë gjithë kohës po rritet numri i dëshmive për dëmin e shkaktuar te fëmijët. Një libër i ri interesant nga Jonathan Haidt, Gjenerata e ankthit [The Anxious Generation], argumenton se fëmijët po dëmtohen pasi lihen të luajnë me mjetet dixhitale të cilat janë shumë të zgjuara për mendjet e reja. Rezultati? Epidemia e mjerimit, ankthit dhe vetëdëmtimit.
Sipas të dhënave të NHS-së [Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar], 20 përqind e fëmijëve të moshës 8-16-vjeçare tani janë në gjendje të problemeve të mundshme të shëndetit mendor – për dallim nga 13 përqindëshi i shtatë vjetëve më parë. Një studim tjetër zbuloi se vetëlëndimi te djemtë adoleshentë është dyfishuar gjatë dekadës së fundit – me 78 për qind për vajzat. Numri i adoleshentëve që trajtohen për shëndetin mendor është rritur me një të tretën në tri vjet. Shtojani kësaj edhe rritjen e antidepresantëve dhe dyfishimin e personave në moshën nën 25-vjeçare të cilët thonë se janë shumë të sëmurë për të punuar – dhe, kjo bën me dije për një problem mjaft urgjent.
Haidt e gjurmon këtë në përhapjen e telefonave të zgjuar. Kur prindërit zbuluan se tabletat mund t’i mbanin fëmijët të angazhuar dhe të qetë për orë të tëra, ata me kënaqësi e instaluan dadon dixhitale. Uturakët që mbanin iPad-in, nisën të shfaqeshin në Amazon. Koha tipike e fëmijës para ekranit shkoi në disa orë në ditë, duke sjellë atë që Haidt e konsideron si kalim nga “fëmijëria e bazuar në lojë” në “fëmijërinë e bazuar në celular”. Kështu që fëmijët largohen prej prindërve dhe nga njëri-tjetri dhe zhyten në një univers alternativ që është “eksitues, që krijon varësi, që është i paqëndrueshëm – dhe i papërshtatshëm për fëmijët dhe adoleshentët”.
Sot, nëntë nga dhjetë fëmijë britanikë posedojnë telefon të zgjuar deri në moshën 11-vjeçare. Pothuajse gjysma e kanë deri në moshën nëntëvjeçare. Pajisjet zëvendësojnë televizorin, telefonat dhe, shpeshherë, shoqërinë. Në Mbretërinë e Bashkuar, shifrat sugjerojnë se shumica nga mosha 10-15-vjeçare shpenzojnë të paktën tri orë në këto pajisje – në një ditë shkollore. Shifrat amerikane sugjerojnë se koha të cilën fëmijët e kalojnë duke u shoqëruar me njëri-tjetrin, ka rënë me dy të tretat që nga fillimi i shekullit. Si baba i tre fëmijëve që janë 16, 14 dhe 10 vjeç, kam pasur shumë mundësi për ta studiuar këtë fenomen nga afër.
Fëmija im më i madh, Alexi, një herë shkroi një letër me dy faqe duke e kërkuar celularin pas shkollës fillore. Kjo do ta ndihmonte që të bëhej më i pavarur, tha ai. E menaxhon më mirë kohën e tij. U dorëzuam. Më pas u përpoqa të kuptoja botën ku – kur fëmijët kthehen nga shkolla – ata futen në grupet e çatit dhe i vazhdojnë bisedat paralele. Ka disa grupe dhe secila përzierje e ndryshme e njerëzve ka tone më ndryshe. Pra, fëmija ka një rebus: sa (ose sa pak) duhet të kontribuojë në çdo bisedë? Çfarë të thuash dhe me çfarë toni?
Për disa, kjo është e ardhmja e komunikimit dhe adoleshentët duhet ta mësojnë atë siç e mësojnë çdo gjë tjetër. Për Haidtin, ky është një konsensus i kalbur që i detyron adoleshentët t’ia kushtojnë “pjesën më të madhe të ndërgjegjes – vazhdimisht – për të menaxhuar atë që bëhet marka e tyre në internet”, për të fituar pranimin nga bashkëmoshatarët, gjë “që është oksigjen i adoleshencës”. Dhe, gjithashtu, për të shmangur turpërimin në internet: për t’i ndaluar njerëzit që të jenë keqdashës ndaj teje sepse ti nuk je në bisedë. Gjithçka i shtohet asaj që ai e quan eksperimenti më i madh i pakontrolluar të cilin njerëzimi e ka kryer ndonjëherë mbi fëmijët.
Florida është shteti i fundit që ka vepruar. Ligji është ndryshuar në Teksas, në Luiziana dhe Jutah për të thënë se ata që janë nën 18 vjeç kanë nevojë për pëlqimin e prindërve – përpara se të krijojnë llogari në mediat sociale. Nuk është e vështirë të shohësh kërkesën për ligje të ngjashme këtu. Por, a janë studimet vërtet kaq të qarta saqë të nevojiten ligjet e reja? A është vërtet koha për të hequr dorë nga ideja origjinale: që prindërit t’i mësojnë fëmijët se si të lundrojnë në botën dixhitale dhe në atë reale?
Edhe shifrat e Haidt nuk tregojnë se është i keq mospërdorimi i telefonit. Ka pak prova për dëmin që kjo shkakton, madje ka shenja të ndonjë përfitimi nëse kalon më pak se dy orë në ditë para ekranit. Mjetet ekzistojnë për t’ua lejuar prindërve caktimin e kufijve: ndoshta jo të pëlqyeshme, por të realizueshme. Mrekullitë e teknologjisë së telefonave të zgjuar gjithashtu lejojnë prindërit e çdo klase që të mblidhen dhe të bashkëpunojnë përmes WhatsApp-it. Nëse të gjithë pranojnë t’i pajisin fëmijët e tyre me një tullë Nokia të stilit të vjetër, deri në një moshë të caktuar, kjo mund të funksionojë. Mendimi im është se gjenerata ime, për të cilin kjo gjë ende është kaq befasuese, është më konfuze – por, brezi pas meje, vetë vendas dixhitalë, do të bëjë gjykime më të mira.
Kur fola me Haidtin disa muaj më parë, ai përmendi një gjetje befasuese: feja duket se ofron njëfarë mbrojtjeje. Një studim i Universitetit të Miçiganit zbuloi se vajzat laike janë më të prekshme, por djemtë fetarë më pak. Pra, kur e vlerëson misterin e kolapsit të shëndetit mendor, Haidt pranon se ekziston një faktor tjetër: “Rënia e shpejtë e jetës fetare që ka ndodhur në shkallë të ndryshme në të gjithë Evropën”. Vajzat nuk janë aq të mbrojtura nga besimi, thotë ai, sepse efekti i telefonit të zgjuar – veçanërisht Instagram-i – është kaq i thekshëm.
Pse besimi duhet të ketë rëndësi? Studimet nuk e thonë këtë me të vërtet. Ata që shkojnë në kishë (si unë) do të donin të mendonin se mësimi i krishterë e ka theksuar gjithmonë rrezikun e gjykimit të vetvetes nga verdiktet e të tjerëve. Të gjitha fetë theksojnë se gjëja e duhur rrallëherë është gjëja më e pëlqyeshme: është temë shumëvjeçare. Historia e Pashkëve, në fund të fundit, ka të bëjë me dikë që nuk përfundoi me shumë “pëlqime”. Kështu që shpeshherë këto histori të lashta, dhe morali në to, fitojnë rëndësi të re në një epokë të re.
Studimet nuk tregojnë për ndonjë tension midis Zotit dhe telefonave të zgjuar. Por, derisa dëshmitë rriten mbi përfitimet e racionimit të kohës para ekranit, duket se – në fund të fundit – engjëjt Shabatit mund të kenë qenë duke parë. /Telegrafi/