Policia e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon së zbatuari Urdhrin Operativ ‘Siguria në Trafikun Rrugor 2023’.
Në zbatim të detyrave që dalin nga ky urdhër, janë angazhuar zyrtarë policorë nga të gjitha Drejtoritë Rajonale Policore dhe ata nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë (Njësia e Autostradave).
Vetëm gjatë ditës së djeshme (29.12.2023), policia ka vendosur 501 pika kontrolli për automjete dhe për shkelje më të rënda në trafik, 58 drejtuesve të automjeteve, u janë konfiskuar patentë shoferi për periudha kohore siç parashihen me ligjet në fuqi.
“Shtimi i numrit të veturave në rrugë në këtë kohë (ardhja e bashkatdhetarëve), po edhe kushtet klimatike mund të jenë shkak për shtim të numrit të aksidenteve, policia edhe me këtë rast apelon për kujdes të shtuar në trafik, respektim të rregullave e shenjave të trafikut, përshtatje shpejtësisë kushteve të rrugës dhe përqendrim maksimal në ngasje”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/