Shqipe Mehmeti-Selimi kishte lënë Gjermaninë dhe si 14 vjeçe kishte ardhur në Kosovë dhe kishte kapur armën për të mbrojtur atdheun.
Për të dhe familjen e saj, ishte e rëndësishme që të bëhen pjesë e UÇK-së, meqë me këtë frymë ishte rritur që nga fëmijëria.
Bashkë me babanë Fatmir Mehmeti, ajo kaloi për të luftuar në Zonën e Karadakut, ku herë pas here edhe përkthente, deri në mbarimin e luftës, që këtë të diel mbushi 23 vjet.
Emocionet ishin të forta kur u ribashkuan më 12 qershor 1999, me pjesën tjetër të familjes, 6 muaj pasi nuk dinin gjë për fatin e tyre, raporton Klan Kosova.
Por liria që sot gëzon Kosova, për ish-ushtaren nuk është e plotë pa bashkudhëtarin e jetës së saj, një nga themeluesit e ushtrisë, Rexhep Selimi, që bashkë me shokë po gjykohen në Hagë.
Për ish-pjesëtaren e TMK-së kjo është e padrejtë.
Tash e 12 vjet, Mehmeti-Selimi, është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, që këtë 12 qershor mbushi 17 vjet nga themelimi.
Si deputete e saj, vlerëson se partia është në rrugën e duhur për udhëheqjen e vendit.