Site icon Telegrafi

Vet-aksident në magjistralen Gjilan-Kamenicë, vdes pasagjeri 54 vjeçar

Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit ka bërë të ditur se një vet-aksident ka ndodhur në magjistralen Gjilan-Kamenicë, ku si pasojë një pasagjer ka humbur jetën, ndërsa vozitësi ka pësuar lëndimet të rënda.

Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 00:05 në hyre të fshatit Dobërqan.

“Ju njoftojmë se më datën 15.02.2022, rreth orës 00:05, në magjistralen Gjilan – Kamenicë, në hyrje të fshatin Dobërqan, ka ndodhur një vet aksident me fatalitet.

Dyshohet se deri sa ka qenë duke lëvizur vetura BMW me tabela 06, ku në veturë kanë qenë tre persona, në një kthesë i njëjti ka humbur kontrollin dhe ka goditur një shtyllë elektrike,  me ç’rast pasagjeri N.K.(1968) ka humbur jetën, gjersa  vozitësi i veturës M.K.SH, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Gjilanit, e më pastaj për në QKUK në Prishtinë”, bëri të ditur Hashani.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante, prokurori i shtetit, zjarrfikësit, ndihma e shpejtë, ndërkaq, mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes. /Telegrafi/

 

Exit mobile version