Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar policët e lënduar gjatë aksionit të ndërmarrë gjatë ditës së sotme, kundër krimit të organizuar në disa komuna të Kosovës.
Ai para mediave tha se aksioni i sotëm është një mesazh për të gjithë ata që janë të përfshirë në krim të organizuar, transmeton Telegrafi.
“Sundimi i ligjit do të jetë në gjithë Republikën e Kosovës, ky është një mesazh për të gjithë ata që janë të involvuar në krim të organizuar dhe korrupsion, shteti i Kosovës do të jetë i pa kompromis. Pavarësisht se a kanë një post zyrtarë, çoftë politikë apo policor sundimi i ligjit do të jetë pa kompromis për të gjithë, pa dallim etnie”, tha Veseli.
Tutje kryetari i Kuvendit, falënderoi policët për aksionin e sotëm.
“Ajo çfarë është pozitive është se policët e lënduar janë në gjendje të mirë shëndetësore, jashtë rrezikut për jetë. Janë trimat e Kosovës, unë si bartës i institucioneve i falënderoj për punën e jashtëzakonshme dhe do ta kenë përkrahjen tonë gjithmonë”, u shpreh ai.
Aksioni i Njësisë Speciale në veri të Mitrovicës i nisur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, ka përfunduar rreth orës 11:30.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ndryshe gjatë këtij aksioni janë arrestuar dhjetëra persona në mesin e tyre zyrtarë policor, qytetarë nga komunitete të ndryshme. Në mesin e të arrestuarve është edhe një shtetas rus.
Po ashtu gjatë këtij aksioni janë lënduar edhe katër polic, njëri prej tyre ka qenë i plagosur me armë zjarri ndërkaq gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë.
Policia gjatë këtij aksioni u përball me rezistencë të armatosur në Zubin Potok. /Telegrafi/