Site icon Telegrafi

Veseli thotë se opozita është e lodhtë dhe e çoroditur

Opozita në Kosovë është e dobët, pa kauzë dhe vetëm me bojkot. Kështu thotë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili i quan manipulanta Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Në intervistën 45 minuta, dhënë për KosovaPress, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës e quan Vetëvendosjen lëvizje anarkiste, ndërsa LDK-në parti të përçarë që nuk e di rrugën e vet.

Sipas Kadri Veselit, me mentalitetin që ka opozita, të cilin ai e quan të çoroditur, bllokues e urrejtës, ata do të humbin prapë.

Veseli thotë se çuditet nga veprimet e LDK-së, për të cilët thotë se po veprojnë sikur Vetëvendosje, duke u munguar kështu vetëm hedhja e gazit lotsjellës.

I pyetur për koalicionin qeverisës, Veseli thotë që i ka vështirësitë e veta dhe nuk është më i miri.

“Koalicioni nuk është gjithçka, nuk është perfekti, nuk është më i miri, ka vështirësitë e veta, por opozita është shumë e çoroditur, është një opozitë shumë e dobët, e cila nuk ka kauzë, e cila nuk ka vizion, ka bojkot, e cila mundohet në çdo segment manipulativ për të manipuluar. Në shumë raste harron edhe vetën ku ka qenë, mundohet të krijojë vetëm skena përmes së cilave përfiton në mënyrë elektorale, nuk është kjo që ka me kriju premisa që ata të jenë të suksesshëm, as në opozitë edhe 10 vjet nëse qëndrojnë”, thotë ai.

Sipas tij, kjo do të jetë përgjigja e qytetarëve të Kosovës, ku opozita nuk do të fitojë asnjëherë me këtë mentalitet që ka.

Veseli pranon se qeveria ka gabime dhe duhet të përmirësohet, por thotë se Kosova nuk është për t’u shkatërruar sepse ka zhvillim dhe perspektivë të jashtëzakonshme.

I pyetur për mocionin e mosbesimit që po e inicion opozita, Veseli thotë se i vjen keq për këtë opozitë e cila sipas tij nuk do të ketë sukses në këtë formë.

“E lodhtë opozita, e lodhtë, mocioni është dashur ta sjell shumë moti, ka nevojë pozita, ne kemi nevojë të ballafaqohemi me mocionin e opozitës, ne kemi nevojë ta dimë ku jemi, nuk e kemi me tapi askush, me tapi e kanë vetëm qytetarët e vendit tonë. Shumë inate, shumë manipulativ(opozita)më vjen keq për këtë opozitë, e cila nuk ka me pas sukses  në këtë formë”, thotë ai.

I pyetur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme këtë vit, kryetari i PDK-së thotë se kjo parti ka vizion edhe për 10 vjet të tjera.

Për Lëvizjen Vetëvendosje thotë se është anarkiste e cila gotën e sheh gjysme të zbrazet, ndërsa për LDK-në thotë se nuk e di rrugën e vet.

“Shkoni pyetni opozitën e lodhtë dhe thuaju dorëzone mocionin, mos i manipuloni qytetarët dhe vendosne besimin a mund të jetë apo nuk mund të jetë për këtë qeverisje. Por instalimi i logjikës së bojkotit në një vend demokratik ku gjithmonë do të ketë pozitë dhe opozitë është shembulli më i keq që i bëhet vendit, të cilën është duke e bërë Lidhja Demokratike e Kosovës, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje që është kështu është e çakorduar, thjesht ajo është lëvizje anarkiste, ajo e sheh gjysmën e gotës të mbushur, thotë pse nuk është mbushur gjysma e gotës, e sheh gotën drejtë thotë pse nuk është mbrapsht. Si të sheh një formë ajo e ka veç antipodin. Shiko liderin e tyre, është teksti preteksi konteksti, teza, sinteza, antiteza, vetëm këto i ka. Ose një LDK e cila nuk e di rrugën e vet, e përçarë brenda duke u munduar me nejt bashkë se i mund PDK, po qytetarët kanë me i mujt, se po i mund PDK. Edhe 10 vjet të tjera PDK ka vizion, ka qëllim të qartë për qytetarët”, thotë ai.

Kreu i PDK-së thotë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë subjekt që votohet nga qytetarët e Kosovës, veçse thekson se nuk i bëjmë përshtypje, siç i quan ai, kokorratjet e atyre që mundohen të fitojnë vota duke folur kundër PDK-së, e pastaj shikojnë për bashkëpunim me po këtë parti.

Veseli thotë se partneritet kanë vetëm me qytetarët, por e respektojnë secilën parti dhe nuk kanë urrejtje ndaj askujt.

Exit mobile version