Site icon Telegrafi

Veseli: Thaçi i ka kapur “për hunde” LDK-në dhe Vetëvendosjen

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka folur për problemin me numrat në Kuvendin e Kosovës, që ka si pozita, ashtu edhe opozita.

Veseli ka treguar se ka komunikim të mirë me një pjesë të LDK-së.

“Ka një gatishmëri nga një pjesë e LDK-së, ka një racionalitet shumë njerëzor, shumë serioz që ne duhet të ulemi bashkërisht”, tha Veseli në Zona B të Klan Kosovës.

“Konfigurimi i skenës politike në Kosovë dhe Kushtetuta që garanton 20 vendet e rezervuara e bën të vështirë që secili koalicion t’i ketë 2/3 e votave”.

“Manipulime le të bëjnë tek qytetarët, le të improvizojnë. Asnjë individ në Republikën e Kosovës, as presidenti, as kryeministri, as kryetari i Kuvendit, nuk mund të marrë në Republikën tonë Parlamentare asnjë vendim (marrëveshje ndërkombëtare) pa 2/3 e votave”.

“Është total manipulim ideja se Kosovën po e shet dikush, ndonjë individ dhe pastaj e humbëm. Kushtetuta e precizon shumë qartë se duhen 2/3 për çdo vendimmarrje. Kjo është e mira e sistemit tonë kushtetues – duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës”.

“Duhet t’i ndalim sa më shpejt këto manipulime se jemi duke e dëmtuar vendin tonë dhe në të njëjtën kohë jemi duke e dëmtuar raportin me Bashkësinë Ndërkombëtare”.

Veseli shpreson shumë se do të ketë reflektim. “Çdo ditë kam kontakte të intensifikuara, besoj shumë shpejt se do të ketë një reflektim edhe më të madh nga një pjesë e opozitës, të ulemi bashkërisht dhe të dalim nga ky ngërç”.

“Një situatë duhet ta kemi parasysh, nuk e di pse e bën presidenti, por për hunde i ka kapur – LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë mbetur viktima. Presidenti ua gjuan si kocka, ata shkojnë dhe flasin ‘korrigjim i rëndë’, ‘korrigjim i lehtë’”, tha ai.

“Kjo opozitë po e dëmton rëndë Kosovën duke menduar se po i mashtron qytetarët dhe në të njëjtën kohë po i materializon pakënaqësitë sociale duke larguar liberalizimin e vizave, që të kemi shpërthim social që ta marrin pushtetin dhe po mendojnë që problemet do t’i zgjidhin për dy ditë – kjo është hipokrizi”, tha Veseli.

Exit mobile version