Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot Komisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, me të cilin ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, dialogun me Serbinë si dhe reformat që Kosova po bën në shumë fusha.
Sipas një njoftimi, kryetari Veseli falënderoi Komisionerin Hahn për mbështetjen që Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës.
Ai theksoi se qytetarët e Kosovës presin që BE-ja të jetë unike sa i përket heqjes së vizave, pasi tashmë çdo kriter është plotësuar.
Po sipas njoftimit, kryeparlamentari Veseli theksoi se është e padrejtë për qytetarët e Kosovës që edhe pas plotësimit të kritereve të kërkuara, të mbesin të vetmit të izoluar në Ballkan.
Ndërsa, sa i përket dialogut me Serbinë, kryetari Veseli ka thënë se Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale, që do të zgjidhë një herë e përgjithmonë të gjitha çështjet e hapura e në të njëjtën kohë i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, OKB, NATO dhe organizata të tjera.
Në lidhje me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, Kryeparlamentari Veseli e njoftoi Komisionerin se Kuvendi i Kosovës do të miratojë ligjet për këtë, me 14 dhjetor.
Ai theksoi se ky vendim do të jetë një hap i rëndësishëm për ruajtjen e paqes në Ballkan, duke forcuar po ashtu partneritetin me NATO-n. /Telegrafi/