Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli i shoqëruar nga kandidatët për kryetarë të komunave veriore të Kosovës, kanë bashkëbiseduar me qindra qytetarë shqiptarë për rëndësinë e daljes masive të shqiptarëve në zgjedhjet e së dielës.
“Ka shumë rëndësi dalja e të gjithë shqiptarëve në zgjedhje në komunat e veriut. Duhet të dalin unik të gjithë në zgjedhje. Është mesazh dalja masive e shqiptarëve në këto zgjedhje sepse tregon se shqiptarët janë aty dhe do të jenë gjithmonë në pronat e tyre. Ne do të vazhdojmë projektet konkrete për të rindërtuar të gjitha shtëpitë e shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga pronat e veta”, ka thënë Veseli.
Nga ana e tyre, kandidatët e PDK-së për kryetar të komunave në veri i siguruan qytetarët se do të punojnë në interes të zhvillimit të komunave të tyre dhe në koordinim e me mbështetje të institucioneve qendrore, do të realizojnë projekte e investime kapitale.
Sipas njoftimit për media, edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, njëherësh kryetar i PDK-së në Mitrovicë, i siguroi qytetarët e komunave të veriut se do ta kenë përkrahjen e plotë në realizimin e të gjitha projekteve të tyre./Telegrafi/