Site icon Telegrafi

Veseli reagon për ftesat e reja të Speciales për Jakup Krasniqin dhe Sokol Bashotën

Kryetari i Kuvendit njëherësh kreu i PDK-së Kadri Veseli ka reaguar pas ftesave të reja që Gjykata Speciale ka lëshuar për ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe për ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm, Sokol Bashota.

Përmes një shkrimi në Facebook, Veseli ka thënë se “kjo është një goditje për  bashkëluftëtarët e mi, për UÇK-në dhe luftën tonë, por unë jam i sigurt që do e kapërcejmë me kurajo dhe nder këtë sfidë së bashku dhe do dalim prej saj më të fortë se më parë”.

Veseli ka thënë se lufta e popullit shqiptar për të jetuar i lirë dhe i pavarur me dinjitet e krenari kombëtare në trojet e veta shekullore të Kosovës, është një ndër kapitujt më të ndritur të historisë sonë bashkohore dhe askush nuk do mund ta njollosi dot.

Lexo po ashtu Edhe Jakup Krasniqi ftohet nga Specialja në Hagë

“Me keqardhje pranova sot lajmin e thirrjes nga gjykata speciale të ish-Zëdhënësit të  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi menjëherë pasi janë thirrur tashmë ish- shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish- komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe ish- anëtari i Shtabit të UÇK-së, Sokol Bashota.

Kjo është një goditje për  bashkëluftëtarët e mi, për UÇK-në dhe luftën tonë, por unë jam i sigurt që do e kapërcejmë me kurajo dhe nder këtë sfidë së bashku dhe do dalim prej saj më të fortë se më parë.

Unë jam i bindur se ata do të kthehen përsëri të pafajshëm e kryelartë sepse e drejta ka qenë dhe mbetet në anën tonë dhe ne kemi qenë në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Veseli./Telegrafi/

Exit mobile version