Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, fillon sot vizitën zyrtare në Britaninë e Madhe, gjatë të cilës do të pritet në takime të veçanta nga kryetarja e Dhomës së Lordëve, Baronesha D’Souza dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Bercow.
Kreu i Kuvendit të Kosovës do të takohet gjithashtu, me Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Britanisë së Madhe dhe me Grupin parlamentar britanik në Këshillin e Evropës, si dhe do të marrë pjesë në lansimin e Grupit të Miqësisë me Kosovën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në kuadër të kësaj vizite, kryetari Veseli do të ketë edhe takime të tjera të nivelit të lartë dhe me investitorët potencialë nga Britania e Madhe. /Telegrafi/