Site icon Telegrafi

Veseli në Rahovec, fton bashkatdhetarët të investojnë kapitalin e dijen në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli mori pjesë në vendosjen e gurë themelit të një projekti të ri prej 7 milionë euro që ka filluar kompania “Stone Castle Resort” në Komunën e Rahovecit, e që ka për qëllim turizmin dhe sjelljen e vizitorëve nga mbarë bota për të vizituar vreshtat e Rahovecit dhe Kosovën.

Në ceremoninë e gurë themelit, kryeparlamentari Veseli tha se investitori Rrustem Gecaj po e transformon industrinë e bujqësisë edhe në industri të turizmit.

“Sot po i jepni një dimension të ri të zhvillimit Komunës së Rahovecit dhe krejt Republikës së Kosovës, duke e transformuar industrinë e përpunimit të verës, përkatësisht bujqësinë në tërësinë e vet edhe në industri të turizmit. Ne u jemi falënderues për këtë sukses. Kjo është ajo çfarë i duhet Kosovës. Në të njëjtën kohë i falënderojmë qytetarët e Komunës së Rahovecit të cilët janë njerëzit më punëtorë në Republikën e Kosovës, janë dora e artë e punës”, tha kryeparlamentari Veseli.

Duke folur për shembullin e suksesit të investitorit Gecaj nga diaspora në Kosovë, kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi edhe bashkatdhetarët tjerë të suksesshëm që ta sjellin jo vetëm kapitalin e tyre në Kosovë, por ta sjellin edhe dijen e përvojën e fituar.

“Dëshiroj në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës të ju falënderoj për këtë investim të jashtëzakonshëm. Para disa ditësh në Kuvendin e Kosovës kishim disa dhjetëra, qindra intelektualë, biznese nga diaspora. Një nga momentet më të suksesshme në Kosovë do të jetë kur diaspora jonë do të transformohet në pjesën e investimeve në atdheun e vet. Që ta sjellin jo vetëm kapitalin por ta sjellin edhe dijen. Ne institucionet e Republikës së Kosovës, qytetarët e Komunës së Rahovecit dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë shumë falënderues për këto investime që jeni duke i vazhduar në Komunën e Rahovecit”, tha Veseli.

Pronari i kompanisë investuese, Rrustem Gecaj e ka falënderuar kryeparlamentarin Kadri Veseli për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë ai investitorëve.

Ai tha se projekti i ri që ka filluar në Rahovec do të punësojë mbi 50 qytetarë ndërsa do ta shndërroj këtë pjesë të Kosovës si destinacion mjaft interesant për turistët të cilët do të kenë mundësi të pushojnë në këtë zonë dhe të vizitojnë vreshtat e mrekullueshme të Kosovës./Telegrafi/

Exit mobile version