Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha sot se shumë shpesh shkon në veriun e Kosovës por që nuk dëshiron ta shfaq publikisht.
Këtë deklaratë Veseli e bëri pas takimit që pati me nënkryetarin e komunës së Leposaviqit, Mihret Salkoviq.
Veseli tha se shumë shpejt do ta vizitojë edhe zyrtarisht Komunën e Leposaviqit pasi që është i ftuar nga Lista Serbe.
Kryetari i Kuvendit është pyetur edhe për kthimin e mundshëm të ministrave serbë në Qeveri, për të cilët tha se pret shumë shpejt që ata të kthehen.
“Zyrtarisht ende s’janë kthyer por kemi kontakte. E kanë një qëndrim politik por besoj që shpejt do të përmirësohet situata dhe do të kthehen”, tha Veseli.
Ai shtoi se me nënkryetarin e Leposaviqit kanë biseduar për situatën në këtë komunë dhe për infrastrukturën dhe mundësisë e investimeve në atë pjesë.