Telegrafi

Veseli: Me Malin e Zi do të kemi vetëm mirëkuptim dhe marrëveshje

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në hapjen e Qendrës Zhvillimore të Malazezve të Kosovës, e cila u bë sot në Prishtinë, në prezencë të përfaqësuesve të komunitetit malazez dhe bartësve të tjerë të përgjegjësive institucionale të vendit.

Veseli tha se kjo shtëpi është e të gjithë qytetarëve të Kosovës, por natyrisht, në mënyrë të veçantë e malazezëve.

Duke uruar përfaqësuesit e komunitetit malazez në Kosovë për këtë qendër, Veseli konfirmoi vazhdimin e mbështetjes institucionale.

“Me Malin e Zi kemi interesa strategjike dhe rrjedhimisht jemi të përkushtuar për të ndërtuar raporte edhe më të përafërta midis njëri-tjetrit dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin. Mali i Zi është shtet anëtar i NATO-s. Ne jemi krenarë për bashkëpunimin dhe tejkalimin e çdo mosmarrëveshjeje që mund ta kemi pasur në të kaluarën. Do të kemi vetëm mirëkuptim dhe marrëveshje”, theksoi Veseli.​ /Telegrafi/