Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli foli të hënën për Demarkacionin me Malin e Zi, duke thënë se është bërë histori e gjatë dhe po dëmton procesin e liberalizimit të vizave.
Ai tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbesin të izoluar për shkak të demarkacionit.
“Kemi biseduar me zyrtarë të Malit të Zi, të cilët na kanë konfirmuar se do t’i drejtohet Bashkimi Evropian me një shkresë zyrtare, përmes së cilës do të kërkojnë që qytetarët e Kosovës të mos mbesin të izoluar për shkak të demarkacionit”, ka thënë Veseli.
Ai tha se kjo kërkesë e Malit të Zi karshi BE-së, ka ardhur pas kërkesës nga pala kosovare, për të cilën janë pajtuar edhe malazezët.
Veseli po ashtu foli edhe për Kodin Telefonik të Kosovës, ku sipas tij, procesi i pavarësimit dhe sovranitetit të Kosovës po ecën përpara dhe nuk ka kthim prapa.
“Kosova nuk do ta ketë më kodin telefonik 00-381. Kosova do ta ketë kodin e saj nga institucionet ndërkombëtare. Po paguajmë një çmim për rritjen e sovranitetit tonë. Serbia ka marr fund për ne. Edhe pse i kemi marrëdhëniet e mira, mirëpo Serbia nuk do të ketë ndonjë influencë në Republikën e Kosovës”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Kryeparlementari bëri të ditur se vazhdimi i seancës së kaluar do të mbahet të enjten, ndërsa të premten do të jetë seanca e re plenare. /Telegrafi/