Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha sot se në kohën kur mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është jetike dhe shumë e domosdoshme, Qeveria aktuale, si asnjë qeveri tjetër e mëparshme, ka nxitur debatin më të dëmshëm dhe më të rrezikshmëm të marrëdhënieve Kosovë – SHBA.
Veseli në një postim në rrjetin social Facebook tha se deklarata e senatorit republikan, David Perdue, për rishikimin e prezencës ushtarake amerikane në vendin tonë, është më shumë se serioze.
“Vënia në dyshim e rolit të SHBA-ve nga Qeveria Kurti dhe aleancës sonë të palëkundur me shtetin amerikan, është dëmi më i madh që një i zgjedhur politik i Kosovës, ka arritur t’i bëjë shtetit tonë. Vendosja e Kosovës në udhëkryq të rrezikshëm nacional, i ardhur jo nga ndonjë kërcënim i jashtëm, por nga aktet e pamenduara të vetë Kryeministrit, është shenjë e keqe për vendin tonë”, shkruan Veseli. /Telegrafi.