Në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për marrëdhëniet diplomatike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fjalimin e tij, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurtin, për qasjen e tij ndaj SHBA-së, transmeton Telegrafi.
“Si lider i opozitës do ta kishit mbështetjen time për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar, edhe për t’i çuar hajnat në burg. Gjithë hajnat në burg pa dallime partiake. Por frikësohem, se nuk jeni të sinqertë, janë krijuar iluzione dhe po manipulohet me emocionet e qytetarëve. Me dëshirë do ta kisha pritur dështimin tuaj të pashmangshëm për katër vite qeverisje, për shkak të premtimeve të pa bazuara dhe të pa mbajtura se sa të shohë rrëzimin tuaj të shpejtë nga konfrontimin me SHBA-në”, ka thënë Veseli, përcjell Telegrafi.
Veseli ka deklaruar se Kosova do të duhej të ishte përtej ideologjive.
“Në vendin tonë të lirë, ne mund të jemi të djathtë ose të majtë. Konservatorë, liberalë, ose komunistë. Por, Kosovën do të duhej ta kishim përtej ideologjive. Mund të jemi në pushtet, ose në opozitë. Mund të kemi vizione ose programe të ndryshme politike. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë që e kemi vetëm këtë shtet, me interes nacional të qartë. Është e patolerueshme që ky shtet, i ndërtuar me mund e sakrificë, të na rrezikohet nga kushdo qoftë, aventuristë politikë, njerëz që nuk ia dinë peshën të arriturave të deritashme, përfshirë marrëdhëniet tona të shenjta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha lideri i PDK-së.
I pari i PDK-së, ka thënë se kryeministri Kurti duhet të tregoi se çfarë po synon të arrin me qasjen e tij anti-amerikane dhe se a mund të sigurojë sigurinë fizike të qytetarëve. /Telegrafi/