Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka vizion për të ardhmen e vendit.
Lideri i opozitës, në rrjetin social Twitter, ka shkruar se Kurti u fsheh sot në seancën parlamentare pas deklaratave të paqarta duke mos ofruar zgjidhje të pranueshme për sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova.
“Kryeministri Kurti nuk ka vizion për të ardhmen e Kosovës. Ai e bëri të qartë këtë përsëri sot. Duke u fshehur pas deklaratave të paqarta në Kuvend, ai nuk arriti të ofrojë ndonjë zgjidhje të pranueshme për sfidat me të cilat përballemi. Në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ne duhet të ecim krah për krah me SHBA-të”, ka shkruar Veseli.
PM Kurti has no vision for Kosovo’s future. He made this clear again today. Hiding behind ambiguous statements in the Parliament, he failed to offer any acceptable solutions to the challanges that we face. On #Kosovo – #Serbia Dialogue, we have to walk side by side with the #USA.
— Kadri Veseli (@KadriVeseliKS) March 2, 2020
Veseli ka qenë i ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, sot në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për tarifën ndaj Serbisë, duke e quajtur si rrezik për shtetin.
Ai tha se qasja konfrontuese e kryeministrit Albin Kurti me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke e dobësuar Kosovën në raport me Serbinë, ende pa filluar dialogu. /Telegrafi/