Site icon Telegrafi

Veseli: Kosova në fundvit pret vendimin për liberalizimin e vizave, s’ka arsye për vendimmarrje tjetër

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe nuk ka arsye të ketë vendimmarrje tjetër, përveç liberalizimit të vizave.

Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se Kosova e meriton liberalizimin e vizave dhe beson në Bashkimin Evropian.

“Kosova e meriton, Kosova beson në Bashkimin Evropian dhe pret vendimmarrje e cila nuk e turpëron Bashkimin Evropian, edhe ajo është që të mbaj fjalën dhe të ketë liberalizim të vizave për qytetarët tanë në fund të këtij viti”, tha Veseli, raporton Telegrafi.

Kreu i Kuvendit ka folur edhe rreth INTERPOL-it.  Ai tha është optimist se do të votohet për anëtarësimin  e Kosovës në  Interpol.

“Institucionet tona kanë bërë punë të madhe, jemi optimist, por nuk duam të flasim derisa të kryhet puna. Serbia është duke e penguar një gjë e tillë”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit ka folur edhe për transformimin e FSK-së në ushtri.

Veseli në këtë konferencë për media ka bërë të ditur se të enjten do të jetë vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme të kërkuar nga opozita për politikë të jashtme.

Ndërsa, të premten do të mbahet një seancë e re plenare, në ora 14:00.

Ai tha se pret një punë dinamike të Kuvendit të Kosovës dhe komisioneve parlamentare. /Telegrafi/

 

Exit mobile version