Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ironizuar sot me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se kryetari i saj, Isa Mustafa ta marrë rolin prijës në dialogun me Serbinë dhe të mos e bllokojë procesin.
Veseli këto komente i bëri pas takimit me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Ai tha se konsensusi nacional politik për fazën e fundit të dialogut me Serbinë është i domosdoshëm.
“Jemi duke humbur kohë, po merremi me bajraktarizma. Në vend që të koncentrohemi në pjesën si të ballafaqohemi me Serbinë, ne merremi me atë se kush do të jetë i pari. Opozita po vazhdon me gabimin e njëjtë. FSK-ja sot ishte përfunduar nëse s’do të ishin inatet e opozitës”, u shpreh Veseli.
Sipas tij, sa herë që bisedohet me Serbinë, qytetarët nuk do të duartrokitnin.
“Sa herë të bisedosh me Serbinë s’ki me fitu vota, s’kanë me të aploadu qytetarët. Le të dalë Isa, le të marrë bajrakun, boni ofertë le ta marrin, por me blloku procese që s’je në pushtet kjo…”.
Kryetari i Kuvendit tha se çështja e konsensusit është e domosdoshme dhe aktualisht ka një bllokade për çështje inati.
“Çështja e konsensusit është e domosdoshme. Sot kemi një bllokadë për inate, kanë me na vonu 3 apo 4 muaj për të na idhnuar me partnerët ndërkombëtarë. Opozita duhet t’i bashkëngjitet këtij karvani, kur kemi qenë bashkë kemi fituar më shumë. Qëndrimi inatçor i LDK-së është dëmtues…”, tha ai
Kreu i Kuvendit të Kosovës ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, duke thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave.
“Liberalizimi i vizave duhet te ndodh, e meritojmë. Kam parë një skepticizëm, brena BE-së, vjen si rezultat i mosmarrëveshjeve brenda BE-së, kriza e refugjatëve. Presim raport pozitiv…”, u shpreh Veseli.