Telegrafi

Veseli: Formimi i Ushtrisë është çështje javësh

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar sot në Marinë të Skenderajt se pret shumë shpejtë vendimmarrjen në Kuvend për transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës.

Veseli në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorëve të UÇK-së, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha ka thënë se kjo vendimmarrje në Kuvend është çështje ditësh ose javësh.

“Po presim shumë shpejt vendimmarrjen në Kuvend. Është çështje ditësh ose javësh… Do ta kemi transformimin do të thosha të Ushtrisë Çlirimtare në Ushtri të Kosovës…”, tha Veseli.

Ai në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorëve të UÇK-së, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha, kryeparlamentari Veseli tha se ëndrra e tyre është frymëzim në rrugën e fuqizimit të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.

Veseli theksoi se askush nuk duhet të lejojë që të cenohet sovraniteti dhe integriteti i vendit.

Ai ka ftuar për bashkim nga të gjithë, ngase sipas tij, Kosova është tokë e shenjtë.

“Nuk duhet të lejojmë që të cenohet ky shtet, ky sovranitet, ky integritet. Jemi duke bërë punën më të mirë të mundshme. Ajo çka na duhet më shumë është që të jemi të bashkuar, mos t’i hapim fjalë njëri-tjetri, për arsyeje se kjo tokë është e shenjtë, sepse edhe amaneti i kolosëve është i shenjtë, kemi dhënë shumë sakrifica, duhet të punojmë edhe ma shumë”, ka thënë Veseli. /Telegrafi/