Telegrafi

Veseli me eurodeputetë: Çdo vonesë për heqjen e vizave është e paarsyeshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar të martën në Bruksel disa eurodeputetë nga forca të ndryshme politike, me të cilët ka diskutuar për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti.

Kështu thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryetarit të Kuvendit.

Në takim me eurodeputetët Eduard Kukan, Tonino Picula, Andrey Kovatchev dhe Dubravska Suica, kryeparlamentari Veseli i ka falënderuar për votimin në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Eurodeputetët dhe kryeparlamentari Veseli u shprehën optimistë se vendimi për datën e heqjes së vizave do të merret së shpejti. Në këtë takim, Kryeparlamentari Veseli dhe eurodeputetët u pajtuan se vonesat në marrjen e vendimit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti janë të paarsyeshme dhe të dëmshme. /Telegrafi/