Site icon Telegrafi

Veseli: Deri në fund të vitit Ushtria e Kosovës do të jetë plotësisht e formuar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në një intervistë për gazetën kroate “Vecernji list” ka thënë se deri në fund të vitit Ushtria e Kosovës do të jetë plotësisht e formuar.

Veseli në këtë intervistë theksoi se në bazë të të gjitha analizave që janë bërë me miqtë nga NATO, sa i përket strategjisë së sigurisë, do të jenë pesë mijë ushtarë aktivë dhe tre mijë rezervë.

“…Deri në fund të vitit, Ushtria e Kosovës do të jetë plotësisht e formuar. Qëllimi i ushtrisë do të jetë lufta kundër terrorizmit dhe kërcënimi global jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet tjera të rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Atë që Vuçiqi e kundërshton dhe i fton serbët që mos të përfshihen në Ushtrinë e Kosovës, nuk është njerëzore dhe as korrekte. Ne jemi shtet i pavarur dhe serbët që jetojnë në Kosovë janë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ndër tjera Veseli.

Pasi që gazeta kroate “Vecernji list” më 27 tetor realizoi reportazhin për Forcat e Armatosura të Kosovës dhe ku pjesë e tyre janë edhe serbët e Kosovës, ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili  ka ftuar serbët që mos të jenë pjesë e Ushtrisë së Kosovës, thuhet në tekstin e radhës të kësaj gazete.

Thirrjen e presidentit të Serbisë drejtuar serbëve, për “Vecernji list” e ka komentuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke e akuzuar Vuçiqin që po i manipulon serbët e Kosovës.

“Pa marrë parasysh në protestat që vijnë nga Beogradi, jemi të vendosur të themelojmë Ushtrinë e Kosovës dhe më këtu nuk ka kthim”, ka thënë Veseli.

“Këtë do ta bëjmë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe jemi në kontakt të përhershëm me SHBA-të, si dhe partnerët tanë nga NATO, Gjermaninë, Francën, Italinë, Kroacinë, Britaninë e Madhe… Për shkak të presioneve nga Beogradi, Lista Serbe ka qenë e përmbajtur gjatë votimit të ligjeve për Ushtrinë e Kosovës dhe hapur kanë thënë se janë kundër. I kemi pasur dy opsione rreth iniciativës për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. E para, përmes ligjit për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, dhe e dyta përmes ndryshimit të Kushtetutës, që nuk ishte e mundshme të bëhet pasi që Lista Serbe ishte kundër. Prandaj kemi vendosur në transformim për çka nuk ishte e nevojshme 2/3 e deputetëve e as mbështetja nga Lista Serbe”, ka thënë Veseli.

Ai po ashtu ka theksuar se Kosova është vend që dëshiron paqe dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, e jo luftë.

Sipas tij, transformimi nuk do të thotë që Kosova dëshiron luftë ose do të zhvillojë politikë agresive, siç dëshiron ta paraqesë Vuçiqi. /Telegrafi/

Exit mobile version