Tashmë është duke u diskutuar lejimi i importit të veturave më të vjetra se 10 vjet, mirëpo kjo po kundërshtohet nga ambientalistët.
Profesori universitar Zeqir Veselaj, në një intervistë për Telegrafin, shprehet se “varrezat” dhe deponitë e veturave të vjetra janë duke lulëzuar, gjatë viteve të fundit, në Kosovë.
“Duke qenë se shumica e këtyre veturave janë afër jetës së tyre. Po i shohin që këto deponitë për mbledhjen e hekurishteve po janë për çdo të me karrosieri të këtyre veturave. Në një farë forme këto varrezat e makinave në Kosovë, veç kanë lulëzuar në këto vitet e fundit. Këto janë ndikimet më direkte, në mjedis që i shkaktojnë veturat e vjetra”, tha Veselaj.
Eksperti i mjedisit, po ashtu thotë se ambientalistët janë shumë të shqetësuar me idenë për zgjatjen e importit të veturave të vjetra në Kosovë.
Ai tutje e konfirmoi se jo vetëm ai është kundër këtij vendimi, por edhe çdo organizatë mjedisore.
“Ne si ambietalistë, jemi shqetësuar bukur shumë me idenë, që po qarkullon këta muajt e fundit se edhe ky kufizimi 10 vjeçar në importin e veturave, do të lëvizet. Që nënkupton se do të zgjerohet vjetërsia e veturave. Nëse shikohet kjo nga aspekti i ndihmës ekonomike për qytetarët e vendit, mund të jetë një lëvizje pozitive. Mirëpo, për ne si ambientalistë, çdo lëvizje në drejtim të zgjerimit të vjetërsisë së veturave që do të sillen shkon në disfavor të mjedisit, pra shkon duke e rënduar cilësinë e ajrit e cila edhe ashtu është e lënduar në Republikën e Kosovës. Kështu që në parim edhe unë dhe çdo organizatë mjedisore jemi kundër këtij vendimi.”, deklaron ai.
Në anën tjetër, Veselaj “çuditet”, se nga ka rrjedhë ky vendim që të zgjatet vjetërsia e importit të veturave.
“Se çfarë duhet bërë Qeveria e din mirë këtë, sepse i ka ligjet dhe strategjitë të cilat i ka aprovuar vetë. Nuk e di prej nga ka rrjedhë ky vendim që po dëshiron të merret, që të zgjatet vjetërsia e importit të veturave. Por e gjitha se çfarë duhet të bëjë Qeveria është që t’i zbatojë politikat dhe ligjet që vetë i ka aprovuar. Kaq duhet”, u shpreh Veselaj.
Ndërkaq vetëm në këta katër muajit e fundit në Kosovë, kanë ndodhur mbi 6 mijë aksidente, ku prej tyre 31 kanë qenë me fatalitet, njofton Policia e Kosovës për Telegrafin.
“Për periudhën janar-prill janë 31 aksidente fatale, 2,164 aksidente me lëndime me 4,030 personat të lënduar. Kurse aksidente me dëme janë 3,933 apo në total aksidente 6,128”, thuhet në përgjigjen e policisë. /Telegrafi/