Mbi figurën e presidentit të ndjerë, Dr. Ibrahim Rugova, mes tjerash edhe shumë këngëtarë kanë krijuar projekte muzikore.
Adelina Ismaili e Albërie Hadërgjonaj janë vetëm dy prej emrave që na kujtohet kur bie fjala te mbështetja e madhe për figurën e kreut të dikurshëm të Kosovës.
Mirëpo, shumë prej jush mund të mos e keni ditur se edhe Vesa Luma bashkë me familjen ka pasur një relacion shumë të afërt.
Pak nga historia dhe kujtimet e papublikuara më herët, këngëtarja do t’i ndajë në dokumentarin mbi Rugovën, i cili po përgatitet nga njeriu i afërt i tij, Adnan Merovci, transmeton Prive.
Së fundmi, këngëtarja ka ndarë fotografi me ndjekësit në rrjete sociale ku ka treguar se për dokumentarin ka shpalosur imazhe dhe kujtime të cilat nuk janë ditur më herët.
“Ishte një kënaqësi e madhe të isha pjesë e filmit dokumentar ‘Një hap me Rugovën’. Shpalosa shumë kujtime të familjes time me Presidentin historik Ibrahim Rugova, detaje dhe foto të papublikuara! Faleminderit z. Adnan Merovci!”, ka shkruar Vesa në Instagram. /Telegrafi/