Telegrafi

Vesa Luma emocionohet teksa publikon një video të rrallë nga viti 1996: Ndër të paktat paraqitje ku jam bashkë me babain

Foto: vesa Luma/Instagram

Këngëtarja shqiptare Vesa Luma, e ka pëlqyer gjithmonë muzikën dhe është marrë me të që në fëmijëri.

Ajo ka ndjekur mësimet në shkollën e muzikës, gjersa si e vogël është prezantuar në shumë festivale fëmijësh.

Një nga këto paraqitje të veçanta, ajo e ka ndarë së fundmi me ndjekësit e saj në rrjetin social Instagram.

Bëhet fjalë për një performancë të sajën në një nga festivalet e fëmijëve në Prishtinë, duke kënduar këngën e saj “Alo alo”.

Lexo po ashtu Kur lumturia mban emrin "Lian", Vesa Luma: Jam e lumtur dhe e përmbushur në çdo aspekt të jetës

Në mbishkrimin e videos, këngëtarja thotë se këtë e ruan si një prej kujtimeve më të bukura në jetën e saj, pasi është ndër të rrallat video ku shihet edhe babai i saj i ndjerë, teksa i jep motiv dhe vëzhgon performancën e saj.

“Sa shumë kujtime nga kënga ime e parë.. Dhe një nga të rrallat video ku jemi bashkë me babin i cili shihet duke më përcjellë me vëmendje lart mbi skenë… Qysh atëherë kishim dëshirë të eksperimentonim duke fut në këngë pak hip hop, për të qenë në hap me trendin. E më e forta janë lulet e famshme që kanë qenë një ndjejë tepër e mirë”, ka shkruar këngëtarja Luma në Instagram.

E njëjta më pas ka vazhduar suksesshëm karrierën edhe si solo artiste e rritur, duke u bërë një prej emrave më të pëlqyer në tregun muzikor shqiptar.

Ky vit gjithashtu do të shënojë një rikthim të këngëtares me këngë të reja, pas një mungese të gjatë prurjesh muzikore. /Telegrafi/