Telegrafi

Vërshimet në Podujevë, Bulliqi premton mbështetje për qytetarët e prekur

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka premtuar se do të ofrojë mbështetje për qytetarët e prekur nga vërshimet që ndodhën të enjten.

Për këtë ai tha se do të kërkojë edhe ndihmën e institucioneve qendrore.

“Ne kemi ngritur Komisionin për Vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, ku tashmë komisioni ka filluar punën për vlerësimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

“Pas pranimit të raportit, bazuar në mundësitë tona komunale si dhe duke kërkuar edhe ndihmën e institucioneve qendrore do të ndihmojmë qytetarët tanë”.

I pari i Podujevës tutje ka bërë të ditur se të shtunën ka vizituar disa nga familjet që kanë pësuar më tepër nga vërshimet.

“Nga afër kam parë edhe intervenimet që po bëhen nga kompanitë e kontraktuara për zgjerimin e shtratit të lumenjve dhe sanimin e rrugëve”.

“Nga vërshimet dëme janë shkaktuar në shtëpi banimi, biznese private, toka bujqësore, ferma të bagëtive, infrastrukturë rrugore etj”, ka përfunduar Bulliqi. /Telegrafi/