Site icon Telegrafi

Vërshimet në New York dhe New Jersey kanë lënë të vdekur të paktën nëntë persona, disa ishin bllokuar në bodrumet e tyre

Të paktën nëntë persona kanë vdekur pas përmbytjeve dhe tornadove që goditën verilindjen e SHBA-së, raportojnë mediet lokale.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, disa njerëz u bllokuan në bodrumet e përmbytura të shtëpive të tyre, derisa trupi i një personi u gjet në një automjet që u vërshua nga uji.

Guvernatorët e New York-ut dhe New Jersey-t shpallën gjendje të jashtëzakonshme.

Pothuajse të gjitha linjat e metrosë në New York janë mbyllur dhe automjetet jo-urgjente janë ndaluar të kalojnë në rrugë. Shumë fluturime dhe trena jashtë New York-ut dhe New Jersey-t janë pezulluar.

Kryebashkiaku i qytetit të Passaic në New Jersey, Hector Lora, tha për CNN se trupi i një burri në të 70-tat e tij ishte gjetur në një automjet që ishte përfshirë nga përmbytjet.

NBC New York ka raportuar se edhe një person tjetër ka vdekur në New Jersey. NBC dhe AFP raportuan se shtatë persona kishin vdekur në qytetin e New York-ut, disa pasi ishin bllokuar në bodrumet e tyre.

Një fëmijë dyvjeçar ishte në mesin e viktimave në New York. /Telegrafi/

 

Exit mobile version