Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar sot lidhur me situatën pas reshjeve të shumta të shiut, duke thënë se kanë ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues.
Në komunikatën për media thuhet se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, bashkë me kryetarët e komunave dhe zyrtarë të institucioneve përgjegjëse po vizitojnë komunat e prekura, për të parë gjendjen dhe për të koordinuar veprimet për ofrimin e mbështetjes së nevojshme.
Në njoftim më tej thuhet se niveli qendror është në gjendje gatishmërie që t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.
“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellë Ministrisë e njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. AME është duke e përcjellë gjendjen në vazhdimësi dhe është e gatshme për reagim me Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komuna”.
Sipas komunikatës së Qeverisë vërshimet kanë prekur disa fshatra të Gjakovës dhe Rahovecit dhe lagjet në qytetin e Gjakovës.
Më e rënduar ka qenë gjendja në lagjet “Shote Galica”, “ Yllka Domi”, “Dergut Vokshi”, “Permet Vula” dhe disa lagje tjera në qytetin e Gjakovës.
“Ministria e Punëve të Brendshme/Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës të cilët janë angazhuar në evakuim në lagjen ‘Shote Galica’ dhe në lagjet tjera.
Është ngritur niveli i gatishmërisë dhe nga Prishtina është nisur një njësi me pompa për tërheqje të ujit me kapacitet të madh. Një njësi e kërkim shpëtimit të AME-së është në gatishmëri, nëse duhet të shkojë për mbështetje, por aktualisht nuk ka nevojë për një veprim të tillë”, thuhet në njoftim.
Sipas Kryeministrisë, Policia e Kosovës gjatë tërë kohës po qëndron pranë qytetarëve në këto komuna.
Qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik (të integruar) emergjent – 112 (këtë numër emergjent – 112 mund ta thirrni dhe merrni, pa prefiks, nga cilido vend në Republikën e Kosovës).
Gjithashtu mund të thirrin edhe në këta numra:
- Njësinë më të afërt Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, në numrin e telefonit 193,
- Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192,
- Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194. /Telegrafi/