Kosova ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Çekinë, pasi kjo e fundit po përballet me vërshime.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se janë të gatshëm për të ndihmuar autoriteteve çeke përmes kapaciteteve të kërkim shpëtimit.
“Në këto momente të vështira kur Republika Çeke po përballet me përmbytje, në letrën drejtuar homologes sime, Ministres së Mbrojtjes së Republikës Çeke, Jana Černochová, i shpreha gatishmërinë për t’iu ofruar ndihmë autoriteteve çeke përmes kapaciteteve të kërkim shpëtimit apo formave tjera të mbështetjes humanitare”, ka shkruar Maqedonci.
Ai thotë se mendimet tona janë me të gjithë të prekurit, duke uruar që kjo krizë të kaloj sa më parë e me sa më pak dëme.
“Ne qëndrojmë me Republikën Çeke në këtë kohë të rëndë për të dhe shpresojmë për tejkalim të kësaj gjendje të rëndë dhe kthim sa më të shpejtë në normalitet”.
Disa shtete evropiane po përballen me vërshime vdekjeprurëse. Rumania ka raportuar për pesë të vdekur nga vërshimet, teksa në Poloni ka vdekur një person, sikurse edhe në Austri.
Edhe Republika Çeke po përballet me vërshime, teksa në këtë shtet janë raportuar disa të zhdukur.
Mijëra persona në Evropën Qendrore janë evakuuar si pasojë e reshjeve të shiut, teksa parashikimet janë që këto do të përballen edhe me më shumë reshje shiu./Telegrafi/