Telegrafi

Vërshimet dëmtuan shumë biznese

Biznesin të cilin e zhvilloi për vite me radhë reshjet e mëdha të shiut brenda 30 minutash ia shkatërruan pothuajse të tërin, raporton KTV.

Arbër Gjinovci nuk mund ta vazhdojë punën ngase pësoi dëme të mëdha materiale, duke ia lanë jashtë funksionit të gjitha makinat e prodhimit dhe përpunimit të drurit. Ai pretendon se vlera e dëmeve të shkaktuara llogaritet të jetë diku rreth 100 mijë euro, derisa po pret që komuna t’i dalë në ndihmë.

Arbri nuk është i vetmi që pësoi, ngase janë edhe shumë biznese të tjera që u dëmtuan nga përmbytjet. Vërshimet shkaktuan dëme edhe nëpër shumë shtëpi e lokale të tjera, ngase uji u depërtoi brenda.

Megjithëse Qeveria e Kosovës paralajmëroi se në fillim të kësaj jave do të kishin në dorë vlerën e përgjithshme të dëmeve të shkaktuara nëpër të gjitha komunat e vendit, këto të fundit ende nuk janë të gatshme të dalin me të dhëna.

Zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal thonë se janë në pritje të raporteve nga komunat. Vlera e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e të premtes llogariten të jenë të mëdha, ndërsa Lipjani llogaritet të jetë komuna që pësoi më së shumti.