Telegrafi

Verifikimi ndërkombëtarë i zgjedhjeve, thelbësor për fillimin e negociatave me BE-në

Pa monitorim ndërkombëtar, nuk dua të mendoj fare për zgjedhje, deklaroi presidenti Stevo Pendarovski, kur u pyet nëse do të kishte zgjedhje në vend nëse KSHZ-ja dhe Komisioni për Sëmundje Infektive japin dritën e gjelbër për zgjedhje, por nga ana tjetër OSBE/ODIHR jep përgjigje negative në këtë çështje.

“Unë nuk do të jem pjesëmarrës në ato zgjedhje, por si institucion në këtë vend që kujdeset për demokracinë, ne jemi duke pritur të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian dhe nëse nuk kemi verifikim ndërkombëtar të të gjithë procesit zgjedhor, besueshmërinë, integritetin dhe rezultatet përfundimtare, nuk mund të presim që të vazhdojnë negociatat me BE-në”, deklaroi presidenti Pendarovski.

Ai shtoi se të gjithë liderët e partive politike në takimin e fundit të liderëve thanë se ishin të mendimit se zgjedhjet nuk do të mbaheshin pa monitorim ndërkombëtar.

“Cili do të jetë dimensioni i OSBE/ODIHR në këto kushte, misioni i fundit dhe ato të mëparshmet ishin nga 280 deri në 300 monitorues, afatshkurtër dhe afatgjatë, por askush nga liderët nuk ishte që të dilte në votime pa monitorim ndërkombëtar. Ne kemi monitorim të brendshëm, por të gjithë liderët politikë janë të mendimit se është i nevojshëm verifikimi ndërkombëtar që i gjithë procesi zgjedhor të jetë i besueshëm”, tha presidenti Pendarovski.

Presidenti i shtetit shtoi se në lidhje me këtë Ministria e Punëve të Jashtme kishte dërguar kërkesë për monitorimin e procesit zgjedhor tek OSBE/ODHIR dhe se për një kohë të shkurtër presin përgjigje.