Sofia Vergara u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood. Ylli i saj është i 2.551-ti në këtë bulevard.
Aktorja e njohur latine, e cila famën më të madhe e ka gazuar me rolin e saj në serinë “Modern Family”, qe e pranishme në zbulimin e yllit të saj e shoqëruar nga ekipi i aktorëve të kësaj serie, një numër i madh i anëtarëve të familjes së saj si dhe nga i fejuari, aktori Joe Manganiello.
“Në fund të ditës ti mund të kesh të holla, famë dhe gjithçka tjetër, por nëse nuk ke me kë t’i ndash këto gjëra dhe t’i shijosh, ato atëherë nuk ia vlejnë fare. Çka të duhet një yll në shtegun e Hollywoodit nëse nuk ke kujt t’i mburresh për këtë?” – ka thënë Vergara.
E lindur më 10 korrik të vitit 1972 në Barranquilla të Kolumbisë, Vergara u zbulua fillimisht si modele nga një fotograf teksa po shëtiste nëpër plazh. Ajo e shënoi paraqitjen e saj të parë si performuese në një reklamë të Pepsit, kur ishte vetëm 17-vjeçare.
Që nga atëherë ajo e ka gëzuar një sukses të paparë si aktore, me role në filma të tillë si: “Chef” dhe “New Year’s Eve”, si dhe është pjesë e ekipit të aktorëve të listës A në serinë shumë të suksesshme dhe të shpërblyer me disa çmime Emmy, “Modern Family”. Ajo po ashtu është imazh i disa kompanive të njohura botërore si: Cover Girl dhe Head & Shoulders. Revista prestigjioze Forbes e ka llogaritur se aktorja i ka fituar rreth 37 milionë dollarë vetëm gjatë vitit 2014, dhe suksesi i saj kinematografik vetëm sa po shkon e rritet.
Ndër rolet e fundit të Vergaras është ai krahas aktores Reese Witherspoon në komedinë “Hot Pursuit”, e cila ka filluar së shfaquri nëpër kinema nga sot. /koha.net/