Vera e prodhuar në “Stone Castle” në Rahovec do të fillojë të shitet edhe në tregun e Serbisë. Nga java e ardhshme, fillimisht nëpër marketet e shtetit fqinj do të dërgohet 650 mijë litra, për të vazhduar më vonë me rritje të sasisë deri në 3 milionë litra.
Kështu ka deklaruar për RTK2, Artur Camaj nga kompania “Stone Castle” e Rahovecit. “Nga mesi i javës së ardhshëm, ose më saktë para 1 majit, në marketet e Beogradit, Kragujevcit, Nishit dhe Çaçakut, do të dërgohen 650 mijë litra shishe verë, sasi e cila do të dërgohet deri në fund të këtij viti”, ka thënë Camaj.
Ai ka bërë të ditur se kompania ka marrë lejet e nevojshme nga Serbia, pas vizitave që janë bërë nga Ministria serbe e Bujqësisë.
“Stone Castle” ka eksportuar verë në Serbi edhe më parë, por jo në shishe. Kështu vetëm gjatë vitit 2014 në Serbi janë eksportuar 1 milionë e 350 mijë litra verë, dhe deri në fund të vitit 2015 planifikohet të eksportohen 2 milionë e 250 mijë litra verë të pa paketuar, dhe 650 mijë litra në shishe.
“Stone Castle” pritet raportin tregtar me Serbinë, ta fokusoj edhe në importin e shisheve të qelqit, të cilat deri tani i ka marrë nga Greqia. /Telegrafi/