Për pothuajse 8 vite me radhë, Leonora Zenelaj talentin e saj të pikturimit, e shpreh në gjithçka.
Në një dhomë të vogël, krijon vepra arti, që dikur i kanë quajtur “marifet”.
E stërmbushur me ngjyra, vizatime, materiale të ndryshme, në këtë vend gjen inspirim çdo ditë.
Për pothuajse 8 vite me radhë, Leonora Zenelaj talentin e saj të pikturimit, e shpreh në gjithçka.
Këtë lloj arti, ose “marifet” siç e quan ajo, ka thënë se e ka mësuar nga nëna e saj.
“Me art kam filluar me punuar qysh moti. Më herët kemi punuar punë dorë që është quajtur marifet, e sot po quhet art. Gjithmonë kemi punuar, kemi qepë, kemi kombinuar materiale të ndryshme. Kemi prish diçka e më pas kemi ndërtuar materiale të reja. Me pikturim kam filluar diku prej nëntë vitesh. Me kalimin e kohës kam filluar edhe me ekspozita”, deklaroi për RTV Dukagjinin Leonora Zenelaj.
Tabakët, veshjet e përditshme, çantat, veshjet solemne janë vetëm disa nga punimet të cilat ajo i krijon.
Për çdo punim, ka materialin e veçantë, duke përdorur ngjyrat e akrilit, dheut, të vajit si dhe të tekstilit.
“Fillimisht kam punuar me piktura, më pas kam kaluar te tabakët, e më pas te aksesorët e ndryshëm për femra…Ngjyrat janë enkas të tekstilit. Kam eksperimentuar me ngjyra të ndryshme deri sa kam ardhur te këto ngjyra që nuk fshihen lehtë, dhe ruajnë ngjyrat”, shton më tej Leonora Zenelaj.
Leonora thotë se është e rëndësishme që të ekspozojë punimet të cilat shprehin traditat tona, në shumë vende të botës.
“Kam pasur ekspozita në Prizren, Bolonja, Tiranë. Vitin e kaluar e kam pasur një sfilatë mode ku ka dominuar veshja solemne. Në maj të këtij viti do të kem një ekspozim të veshjeve të mia në Paris, në muzeun e Luvrit”, deklaroi ndër të tjera Leonora Zenelaj.
Artistja Leonora Zenelaj, ka thënë se çdo punim ka një histori në vete./RTV Dukagjini/Telegrafi/