Site icon Telegrafi

Venera Mustafa shfaq koleksionin “Sonder” në Shkup (Video)

Nën moton “Moda e Trashëgimisë Kulturore”, është shënuar edicioni i 12-të i Javës së Modës në Shkup. Kjo ngjarje ka zënë vend në muzeun e qytetit të Shkupit, kur për 5 ditë rresht disenjatorë nga rajoni dhe bota kanë prezantuar koleksionet vjeshtë dimër 2015/2016.

Në frymën e traditës dhe të modës si një portret i kohës, kjo ngjarje mbledh në një vend disenjatorë, fotografë, agjenci të modës, gazetarë, dhe përcjellës të modës.

Në këtë ngjarje marrin pjesë edhe disenjatorë të njohur nga Kosova. Edicionet e kaluara ajo që prezantoi kreacionet e saj, ishte kreatorja Flutura Dedinja.

Kosova nuk mungoi as në edicionin e sivjetmë të “Javës së Modës në Shkup”. Mbrëmja e tretë është përmbyllur me kreatoren e njohur nga Kosova, Venera Mustafa, transmeton emisioni “Express” i KTV-së.

Disenjatorja u paraqit për herë të parë për publikun maqedonas, i cili pati mundësi për të parë koleksionin Pranverë/Verë 2016, “Sonder”. Ftesa për Venera Mustafën ishte bërë edhe në edicionet e kaluara nga organizatorët e kësaj ngjarjeje.

Koleksioni pranverë verë 2016 “Sonder” për herë të parë u prezantua në korrik të këtij viti, në Poligonin e Shenjëtarisë në Prishtinë. Sipas disenjatores, përgjatë këtij prezantimi në Shkup koleksioni “Sonder kishte disa ndryshime.

Ndryshe nga prezantimi në Prishtinë që përmbante 40 veshje, në Shkup u prezantuan vetëm 24 veshje. Në pjesën e parë u prezantuan krijimet me ngjyrë rozë të hapur, ndërsa pjesa e dytë ishte e dominuar nga blu. Tematika dhe inspirimi, si gjithmonë, janë të veçanta dhe jashtë kornizave diktuese të fushës së modës. Detajet që karakterizojnë këtë koleksion janë pjesëza të manipuluara dhe punuara mbi materialin bazë, si dhe numrat që në mënyrë abstrakte karakterizojnë jetët e njerëzve. Pantallona varur dhe të gjera, fustane në formë të sheshtë, xhaketa të gjata dhe çanta si aksesorë, janë pjesë e asaj që disenjatorja Mustafa i ofron tregut të modës.

Nuk është hera e parë që kreacionet e Venera Mustafës prezantohen jashtë kufijve. Vjena, Bazeli, Cyrihu, Parisi janë disa nga vendet ku ajo ka prezantuar kreacionet e saj. Sipas saj, mundësia për t’u prezantuar sërish në Shkup mbetet e hapur.

“Sonder” u pëlqye nga të pranishmit. Për ta parë punën e Venera Mustafës ishte edhe një ndër kreatorët më të njohur shqiptar jashtë kufijve, Izet Curri.

Gjatë këtij takimi, kreatori i modës, Izet Curri, bëri të ditur edhe për projektet e reja.

Mustafa bëri të ditur për emisionin “Express” se tashmë është në përgatitje për koleksionin e ri vjeshtë-dimër 2016.

Venera Mustafa njihet si një ndër kreatoret më të suksesshme kosovare. Puna e saj është veçuar edhe nga media të huaja, duke u cilësuar si një disenjatore bashkëkohore dhe shumë e talentuar.

Exit mobile version