Telegrafi

Vendvotim i pazakontë, shtëpia e Anne Frank do të shfrytëzohet për zgjedhjet parlamentare holandeze

Votuesit në Amsterdam do të mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 22 nëntorit në një vend të pazakontë – në shtëpinë e famshme të Anne Frank.

Bashkia e Amsterdamit njoftoi se kjo ishte nismë e Muzeut, i cili menaxhohet nga Fondacioni Anne Frank, raporton euronews.

Menaxhmenti i muzeut deklaroi se “Shtëpia e Anne Frankut është një nga vendet që na kujton se çfarë mund të ndodhë kur demokracia dhe shteti i së drejtës zhduken” dhe se shpreson që të rinjtë të regjistrohen për të votuar atje.

Kryebashkiaku i Amsterdamit, Femke Halsema shkroi në një letër se “duke pasur parasysh situatën në Izrael dhe territoret palestineze, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sigurisë së kësaj qendre votimi”.

Votuesit do të mund të vizitojnë Shtëpinë e Ana Frankut, një nga atraksionet kryesore turistike të qytetit, pa pagesë. Muzeu do të jetë i mbyllur për vizitorët e tjerë në ditën e zgjedhjeve, përveç nëse vijnë për të votuar një numër i vogël njerëzish.

Muzeu Van Gogh dhe xhamia në pjesën perëndimore të Amsterdamit – Westermoski do të jenë gjithashtu vendvotime, njoftoi Kuvendi i qytetit.

Muzeu, i cili mirëpret rreth një milion vizitorë në vit, është në shtëpinë ku familja hebreje Frank u fsheh nga nazistët dhe ku Anne (1929-1945) shkroi ditarin e famshëm, një nga rrëfimet më mbresëlënëse të Holokaustit, i cili u shit rreth 30 milionë kopje.

Pas dy vitesh fshehje, Anne Frank dhe familja e saj u kapën në vitin 1944. Anne dhe motra e saj vdiqën në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen në vitin 1945.

Holanda do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 22 nëntor dhe kryeministri, Mark Rutte ka njoftuar tërheqjen nga politika pas një rekord qëndrimi prej 13 vitesh në krye të qeverisë.

Sipas sondazheve gara do të jetë e ashpër. Aktualisht në krye është partia e re e formuar nga deputeti popullor, Pieter Omtzigt dhe menjëherë pas saj janë partitë tradicionale të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë. /Telegrafi/