Site icon Telegrafi

Vendoset pllakë në vendin ku u mbajtën stërvitjet e para ushtarake të UÇK-së

Në Këpuz të Klinës u zbulua pllaka e vendit të organizimit të stërvitjeve të para ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është bërë në Shkollën “Azem Bejta”.

U tha se ky vend u zgjedh ngase kishin besim në njerëzit që po organizonin atë kohë.

Folën njerëz që ishin pjesë e atyre stërvitjeve dhe shpjeguan se nga kjo shkollë dolën burra të mëdhenj të kombit që themeluan UÇK-në, që e drejtuan atë dhe dolën publikisht. Ata, formuan edhe radhët e UÇK-së, formuan agjencinë e lajmeve KosovaPress, e shumë prej tyre u vranë e u plagosën, por nuk u dorëzuan.

Isa Krasniqi ka shpjeguar se si filluan stërvitjet e para në këtë vend.

“Ishte vendosur shumë qartë që duhej të fillohej me aktivitete të tjera, sepse nuk mjaftonte vetëm rezistenca ta themi paqësore apo aktive, por duhej te kalonim në forma tjera të veprimit për zgjerimin e Kosovës dhe frymëzimi ishte, tek të rinjtë tanë përmes kujtimit të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, kontributit të tyre, inspirim ishte Adem Demaçi, vepra e tij, inspirim po ashtu ishte Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, vepra e tyre, inspirim për këta të rinj ishte Afrim Zhitija dhe Fadri Fazliu dhe shumë e shumë heronj të tjerë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas luftëtarëve të UÇK-së, nga ky vend kanë dalur, siç i quajnë ata, dy uraganët më të mëdhenj të UÇK-së, Mujë Krasniqi e Skender Rexhepi, e shumë tjerë që u plagosën në luftë pa lëvizur nga istikamet.

Seputeti Rexhep Selimi ka falënderuar të gjithë bashkëluftëtarët e tij dhe tha se mësimet që i morën në Këpuz i zbatuan në luftë.

“Dua t’i falënderoje në veçanti dy njerëz të respektuar pa të cilët kjo ditë dhe kjo ngjarje nuk do të bëhej, ishte profesori i nderuar Ibish Raci dhe poashtu Binak Gashi të cilët me ligjëratat e tyre ushtarake, na dhanë shumë dhe më besoni me gjithë ato që i kemi marr këtu, dhe të tjera dhe natyrisht jo vetëm këtu, i kemi zbatuar në luftë dhe besoj që e kemi kryer mirë detyrën”, ka thënë ai.

Këpuza u quajt fshat bujar që jo rastësisht ishte përzgjedhur si vend nga UÇK-ja dhe jo rastësisht shkolla mbanë emrin Azem Bejta.

Eprori ushtarak, Ibish Raci ka deklaruar se këtij vendi i besohej më së shumti, dhe stërvitjet ushtarake dhe mësimet e vitit ’92 dhe ’93 nuk u zbuluan.

“I përgëzojë të gjithë ata kadetë që nga stërvitjet që i morën këtu, kaluan në vepra. Ata i formuan njësitë e para guerile, nuk dua të lëshohem në tema, parafolësit i përmendën, mirëpo kadetët gjithë e dinë se ato i aplikuan në jetë. Një po e them, të gjithë ata që erdhën që ditën e parë, e dhanë betimin, e mbajtën betimin që do të jenë besnik të fjalës”, ka thënë ai./Telegrafi/

Exit mobile version