Gjilani ka marrë tre pikë të mëdha në shtëpi, pasi ka mposhtur Dukagjinin e Klinës me rezultat minimal 1-0.
Përkundër rasteve të mira që patën dy skuadrat në pjesën e parë, skuadrat nuk gjetën golin dhe shkuan në pushim me rezultat tëbardhë 0-0.
E 45 minutat e dytë nisën vrullshëm për skuadrën mysafire që pati dy raste të mira shënimi.
Fillimisht sulmuesi nigerian Otto John doli i vetëm përballë Enea Koliçit, por goditja e tij përfundoi në shtyllë.
Vetëm disa minuta më vonë rast të artë pati edhe kapiteni Altin Mërlaku, por që gjuajtja e tij shkoi pranë portës.
Vendasit tentuan me disa raste ku rrezikuan Dabiqaj, Ramadani e Solomon, por pa sukses.
Ndërkohë në minutën e 82-të shtylla shpëtoi përsëri Gjilanin, kur kapiteni Altin Mërlaku goditi nga distanca.
Ishte minuta e 85-të e ndeshjes, kur Arbnor Ramadani doli në skenë për vendasit dhe me një gol spektakolar nga distanca shënoi për 1-0.
Deri në fund mysafirët tentuan të barazonin rezultatin, por një gjëje të tillë nuk ia arritën dhe Gjilani mori tre pikë të mëdha nga kjo përballje.
Me këtë fitore Gjilani rikthehet në vendin e tretë me 22 pikë, derisa Dukagjini mbetet në vendin e tetë me 12 pikë.
Ndeshjen e radhës Gjilani e luan në udhëtim te Prishtina, derisa Dukagjini pret Malishevën në stadiumin ’18 qershori’ në Klinë. /Telegrafi/