Site icon Telegrafi

Vendimi i Qeverisë për shtesat pensionale, befasues për pensionistët

Pensionistët shprehen të zhgënjyer me uljen e shtesave nga Qeveria Kurti, megjithatë disa prej tyre besojnë se pensionet do t’i u bëhen 200 euro

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka marr vendim që të rris vlerën prej 10 euro të pensioneve bazë për tre muajt e ardhshëm, por ta largoj shtesën prej 30 euro që ishte marr nga Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se pensionet të cilat janë nën vlerën e 100 eurove, do të bëhen 100 euro për tre muajt e ardhshëm, ndërkaq familjet me asistencë sociale do të marrin nga 30 për qind të ndihmës aktuale.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta nga opozita dhe kategoritë sociale.

Kryetari i Sindikatës së Pensionistëve të Kosovës, Sylejman Meta thotë se ky vendim ishte befasues.

“Nëse qeveria mendon në mënyrë reale, duhet me marrë para praj atyre që kanë rroga të larta, e jo të merr fonde prej pensionistëve që janë në gjendje të mjerueshme”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Sylejman Meta.

Ka edhe prej pensionistëve që këtë vendim e quajnë papjekuri të qeverisë.

“Është vendim i pamenduar mirë. Vendim i një qeverie të papjekur. Sepse nëse pensionistëve si shtresa me e varfër e shoqërisë në fillim iu ke dhënë 30 euro e më pas iu heq 20, çfarë është kjo”, shprehet pensionisti Shaban Halimi.

Ka pensionistë që pajtohen me vendimin e  qeverisë pasi shpresojnë se pensionet së shpejti do të dyfishohen.

“Na ka hek nga 20 euro por shpresojmë se shumë shpejt do të na bëhen pensionet nga 200 euro”, shprehet një tjetër pensionistë.

Njohësi i çështjeve ekonomike Egzon Kastrati thotë se me këtë vendim pensionistëve iu është ulur mirëqenia./Telegrafi/

Exit mobile version