Telegrafi

Vendimi i Qeverisë për shpronësimin, Lista Serbe letër QUINT-it

Foto: Arkiv

Lista Serbe i ka dërguar një letër ambasadorëve të QUINT-it, me pretendimin se pronarëve serbë të tokave po iu “sekuestrohen” pronat nga shpronësimi i Qeverisë së Kosovës, e cila ka miratuar vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore në Komunën e Leposaviqit.

Në njoftimin e Listës Serbe thuhet se letra drejtuar ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë, si dhe shefave të misioneve të BE-së, UNMIK-ut, OSBE-së si dhe komandantit të KFOR-it.

Aty thuhet se përmes kësaj letre kanë ftuar të gjithë që të ndalojnë shpronësimin.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 16 janar të këtij viti ka miratuar vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, Zonat Kadastrale: Dren dhe Leshak, Komuna Leposaviq.

“Sipas vendimit, për realizimin e ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’ është e nevojshme që të iniciohen dhe kryhen procedurat e shpronësimit dhe vlerësimit të pronës për të gjithë pronarët e evidentuar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.