Milla Jovovich është e shqetësuar për konfliktin Rusi-Ukrainë.
Aktorja dhe modelja, e lindur në Ukrainë, tha në një postim në Instagram se ‘është ndarë në dysh’ për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur.
“Zemërthyer dhe e shtangur duke u përpjekur të përpunoj ngjarjet e kësaj jave në vendlindjen time në Ukrainë. Vendi dhe njerëzit e mi janë duke u bombarduar. Miqtë dhe familja ime duke u fshehur”, tha ajo.
“Gjaku dhe rrënjët e mia vijnë nga Rusia e Ukraina. Jam e thyer në dysh derisa shoh tmerrin, vendin duke u shkatërruar, familjet duke u zhvendosur”, vazhdoi ajo.
Jovovich, 46 vjeçe, kujtoi se kishte dëgjuar dhimbjet e luftës nga anëtarët e saj më të vjetër të familjes.
“Më kujtohet lufta në atdheun e babait tim në ish-Jugosllavi dhe historitë që familja ime tregonin për traumën dhe terrorin që ata përjetuan. Luftë. Gjithmonë luftë. Udhëheqësit që nuk mund të sjellin paqen”, përfundon postimi i aktores.
Jovovich është një nga disa të famshëm që kanë folur për tmerrin në Ukrainë.
Yje të tjerë kanë ndërmarrë veprime për të ndihmuar me donacione. /Telegrafi/