Telegrafi

“Vendi i dëshmisë dhe kujtesës”

Portretet e të përndjekurve gjatë diktaturës janë vendosur në dritaret e ndriçuara. Kjo e bën të mundur që turistët të krijojnë një tjetër lidhje me Muzeun qysh në shikim të parë. Ende pa u futur brenda mund të shohin fytyrat e disa prej atyre që u torturuan nga diktatura gati gjysmëshekullore. Financimi i ndërhyrjeve në Muzeun “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës” është bërë nga Bashkia e qytetit verior të Shqipërisë.

Muzeu bie në sy edhe gjatë mbrëmjeve. Në periudhën komuniste, ky objekt që gjendet afër qendrës së qytetit kishte shërbyer si degë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Aty ishin mbajtur të arrestuarit gjatë periudhës së hetuesisë. Rrëfimet për torturat që kishin pësuar janë ringjallur në këtë Muze.

Në ndërtesën e rikonceptuar si një memorial i periudhës së diktaturës komuniste pjesa më kulmore cilësohen qelitë origjinale të paraburgimit, që ndryshe njihen edhe si biruca për shkak të përmasave të tyre shumë të vogla dhe dritën e paktë që depërtonte në brendësi. Në fund të hapësirës së qelive ndodhet edhe dhoma e torturave, ku shpesh të burgosurit ishin të detyruar të asistonin në tortura fizike e morale që ushtroheshin ndaj kolegëve të tyre të arrestuar.

Objekti i ndërtuar më 1930 si Kolegj Serafik i Provincës së Fretërve Minorë në Shqipëri ishte një institucion për përgatitjen e kandidatëve të rinj françeskanë. Pranë kësaj ndërtese ndodhej edhe shkolla femërore e Motrave “Shërbëtore të Marisë”, që së bashku me shkollën e Etërve Jezuitë dhe me atë të Motrave Stigmatine, përbënin qendrën e kulturës dhe të edukimit në Shkodër.

Me ardhjen e komunizmit dhe me arrestimet e para në vitin 1945, lindi nevoja të improvizohen burgje të reja dhe Kuvendi u kthye në Degën e Punëve të Brendshme për qytetin e Shkodrës, rol të cilin e ruajti deri me rënien e komunizmit më 1991. Magazinat ngjitur me konviktin u përshtatën dhe u kthyen në qeli paraburgimi. Tash, i shndërruar në Muze, kalimi në zonën e qelive bëhet përmes një galerie ekspozimi me elemente që simbolizojnë torturën dhe dhimbjen duke përkujtuar edhe ecjen drejt vuajtjes. Galeria drejton në sallën e ekspozimit të objekteve dhe materialeve të burgimit që janë sjellë nga vetë të dënuarit politikë apo familjarët e tyre.

Krahas kësaj, këtu pasqyrohen edhe dokumente origjinale të kohës që dëshmojnë persekutimin komunist në qytetin e Shkodrës, kryengritjet e para antikomuniste në Shqipëri, gjyqet ushtarake, persekutimi i klerit, internimet, arratisjet e deri tek dënimet me pushkatim.